Për shkak të tensioneve të ngritura midis Ukrainës dhe Rusisë, Japonia ka vendosur që të tërheq shumicën e personelit diplomatik nga Ukraina.
Qeveria japoneze teksa po evakuon pothuajse të gjithë stafin e ambasadës së saj nga Ukraina, u ka bërë thirrje shtetasve japonezë që të largohen menjëherë.
Siç raporton e përditshmja “Republic World”, ky vendim është marrë në vazhdën e tensionit në rritje të vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë, duke e quajtur atë një kërcënim për njerëzit që banojnë në Ukrainë.
Ambasada japoneze në Kiev do të ofrojë shërbime të kufizuara vetëm pas evakuimit të stafit diplomatik.
Të premten, Ministria e Jashtme japoneze tha se vendi kishte ngritur në nivelin më të lartë paralajmërimin e rrezikut për qëndrimin në Ukrainë.
Bashkë me Japoninë, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia, Zelanda e Re dhe Gjermania, u kanë kërkuar shtetasve të tyre që të largohen menjëherë nga Ukraina dhe disa vende të tjera gjithashtu kanë filluar tërheqjen e forcave ushtarake.
Ndërkaq, Kryeministri japonez Fumio Kishida ka formuar një zyrë për të koordinuar veprimet dhe për të mbledhur informacion mbi zhvillimet në Ukrainë, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.
Sekretari kryesor i kabinetit japonez Hirokazu Matsuno tha në një konferencë për shtyp se Kishida kishte dhënë urdhra për të garantuar sigurinë e shtetasve japonezë në Ukrainë.
Aktualisht janë rreth 150 shtetas japonezë në Ukrainë.