NATO ngre alarmin: Rusia po përdor “bomba thërrmuese”, është çnjerëzore

Rusia ka përdorur bomba thërrmuese, artileri të ndaluar gjerësisht në Ukrainë, tha të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne kemi parë përdorimin e bombave thërrmuese dhe kemi parë raporte për përdorim të llojeve të tjera të armëve që do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, u tha Stoltenberg gazetarëve në Bruksel të premten, shkruan CNN.

Stoltenberg shtoi se NATO dhe aleatët e saj “po mbledhin informacion dhe po monitoronin nga afër se çfarë po ndodh në Ukrainë”.

“Unë mirëpres gjithashtu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hapur hetimin për këtë, sepse ne duhet të sigurohemi që presidenti Putin, presidenti i Bjellorusisë të mbahen përgjegjës për atë që bëjnë”, tha ai.

“Ky është brutalitet. Kjo është çnjerëzore. Kjo është shkelje e ligjit ndërkombëtar,” tha Stoltenberg.

Bombat thërrmuese – të cilat jo vetëm që japin një shpërthim fillestar në goditje, por gjithashtu përmbajnë bomba të shumta më të vogla që përhapen në një zonë të gjerë – dënohen kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të rrezikut të viktimave civile kur ato përdoren në zona të populluara.

“Udhëheqësit tuaj po ju gënjejnë. Mos kryeni krime lufte,” tha ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield gjatë një sesioni urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të mërkurën.