Kurti: Unë jam kryeministër i progresit, Vuçiqi është president i kërcënimit

Kurti: Unë jam kryeministër i progresit, Vuçiqi është president i kërcënimit

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ai është kryeministër i shpresës dhe progresit ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është president i frikës dhe kërcënimit.

I pari i qeverisë ka shtuar se, ai është i gatshëm për takim në Bruksel, por se pala serbe është ajo që nuk shfaq gatishmëri.

“Më 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel. Unë kam qenë i gatshëm, por pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Gatishmëria nga ana e Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli, por ka munguar nga Beogradi. Po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga kreu shtetëror i Serbisë. Unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si presidentit i frikës, frikësimit dhe kërcënimit.

Kryeministri ka thënë edhe se për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duhet që frikësimet dhe kërcënimet të lihen anash.

“Për t’u integruar në BE, për normalizim të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat europiane, kah fqinjësia e mirë, kah sanksionet e Rusisë dhe kah ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”, ka thënë ndër tjerash Kurt.