''RRUGA PA ADRESË'' e Mustafa Ismailit vepër e dhimbjes shpirtërore

"RRUGA PA ADRESË" e Mustafa Ismailit vepër e dhimbjes shpirtërore

Shkrimtari dhe atdhetari luginas Mustafa Ismaili me këtë vepër ka hapur siparin e letërsisë, ku janë bashkuar realiteti, dhembja, dhe mërgimi i cili i'u imponua nga ballafaqimet e jetës, e cila e përplasi përpara njerëzve të cilët ishin me instikte shtazore.

Kjo vepër pasqyron një jetë, kur populli shqiptar ishte i destinuar të zhdukej nga faqa e dheut vetëm se  i përkiste truallit autokton në të cilën e kishin trashëguar brez pas brezi. Që në hyrje të këtij libri, autori është munduar që personazhi autobiografik Tafa, të ballafaqohet me shumë probleme vetëmse ishte intelektual i kalibrit të madh. Ai para se të ndodhte, rruga e shtruar me gjemba për të dhe familjen e tij, diku i vendosur në Fushë të Kosovës do të hasi në probleme jetësore sepse rreth tij, ai do të jetoj mes egërsirave sllave që ishin të etur për gjak shqiptari.

Plasja e luftës së fundit, në Kosovë atë do ta gjej në dilemën e Hamletit të rri të bëj detyrën e patriotit që familja e tij të zhduket, apo të lërë vendin ta shpëtoj familjen, e cila çdo ditë e më shumë po e mundonte tepër.

Personazhet, apo fqinjët e tij serb si Rada e Sllobodani dhe jevgjit Rafeti e Reshati  do ti sjellin atij shumë mundime sepse ata ishin të detyruar ti bëjnë shantazhe e madje kur edhe do ti digjet shtëpia një ditë Tafës, ata do të jenë organizatorët e këtij atentati.  Pas gjithë këtyre vuajtjeve, ai do të marrë rrugën pa adresë, ku fillimisht do të vijë në Preshevë, Bujanoc, Miratocë madje edhe në Maqedoninë Veriore në Kumanovë e Llojan, por as këtu nuk do të gjej prehje nga okupatori sllav, që më në fund rruga e tij do ta ketë një adresë drejt Europës në Toronto të Kanadasë

Pas mbarimit të luftës, Tafa kthehet në Kosovë në shtëpinë e tij në Fushë Kosovë, por ç'të sheh. Shtëpia e tij ishte djegur, po nga ata fqinjët e tij serb të cilët i kishte dhënë bukë, por edhe ata tashmë kishin ikur duke i lënë marrëzitë dhe masakrat që i kishin bërë.

Intelektuali Tafa, pasi vjen nuk e harron edhe vendin e tij të punës atë në Shkollën Fillore "Selman Riza" ku ai kishte punuar profesor i gjuhës shqipe por edhe aty duke i parë kushtet e rënda dhe rrogat e dobëta e lë punën dhe përfundimisht shpërngulet në Toronto të Kanadasë deri në pensionim.

Kjo vepër monumentale, meriton të lexohet e rilexohet sepse është vepër reale ku shpaloset e vërteta e hidhur, por edhe shënon një epokë ku autorin e ngritë në piadestalet më të larta të historisë.