Komuna e Bujanocit shpërblen me nga 24.000 dinarë nxënësit më të mirë të gjeneratës

Komuna e Bujanocit shpërblen me nga 24.000 dinarë nxënësit më të mirë të gjeneratës

Dymbëdhjetë nxënësit më të mirë të gjeneratës, dhjetë prej të cilëve nga shkollat fillore dhe dy nga shkollat e mesme, ishin sot musafirë të kryetarit të komunës së Bujanocit. Të shoqëruar nga drejtorët e tyre, ata u pritën nga kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, i cili në shenjë mirënjohje për suksesin e tyre në mësime ka vendosur që t'i shpërblejë këta nxënës me nga 24.000 dinarë (200 €) secilin. 

Në fjalën e tij, kryetari Arifi shprehu kënaqësinë e posaçme që në kabinetin e tij të mirëpres nxënësit më të mirë të gjeneratës së komunës së Bujanocit, duke theksuar që komuna po angazhohet sa më shumë që po mundet që nxënësve dhe studentëve të dalluar t'u dalë në ndihmë, ku edhe me buxhet parashihen fondet për shpërblimin dhe motivimin e tyre. 

Përveç kësaj, kryetari Arifi theksoi se këtë vit nga buxheti komunal janë ndarë 15 milionë dinarë për ndihmë studentëve, dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, theksoi edhe ndihmën për pagesën e një pjese të shpenzimeve të rrugës për nxënësit e shkollave të mesme, si dhe shujtat për nxënësit e shkollave fillore. Këto janë vetëm disa indikatorë që komuna jonë po qëndron afër nxënësve të vet, theksoi në fund Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit.

Lëvdratat dhe falemnderimet ndaj kreut të komunës nuk munguan as nga drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe nga vet nxënësit e shpërblyer, të cilët janë të kënaqur me vendimin e komunës për t'i shpërblyer nxënësit e dalluar, duke dëshiruar që kjo traditë të vazhdojë edhe viteve tjera.