Zëvendëskryeministri dhe kreu i ekipit negociator të Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit të Serbisë për të shkurtuar buxhetin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.
Përmes një postimi në platformën X, Bislimi ka thënë se BE-ja këtë gjë nuk po e sheh si veprim të njëanshëm të Serbisë.
Ai është shprehur se Kosova dënon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Kështu duket minoriteti më i diskriminuar në Evropë. Spastrimi etnik nëpërmjet metodave administrative, tash po vazhdohet edhe me shkurtimin e buxhetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Por, ndoshta BE-ja ende nuk e sheh këtë si veprim të njëanshëm të Serbisë. Prandaj, nuk ka nevojë për përshtatje dhe nuk ka shqetësim për implikimet për popullatën shqiptare. Kosova dënon padrejtësinë e Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ne qëndrojmë të fortë dhe të vendosur për ta luftuar për barazi dhe trajtim të drejtë”, shkroi Bislimi.