Postimi i plotë i znj.Ardita Sinani:
Kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit.
Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit.
Sot, historia rrezikon të përsëritet!
Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon.
Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj! Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës.
Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!
Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!