Liderët e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe kanë publikuar një deklaratë të përbashkët lidhur me rastin e helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, duke thënë se fajësimi i Rusisë për sulmin ka qenë “shpjegimi i vetëm i besueshëm”.
Në këtë deklaratë dënohet “përdorimi i agjentit nervor për qëllime të sulmit në Evropë për herë të parë nga koha e Luftës së Dytë Botërore”, ndërsa akti është cilësuar sulm ndaj sovranitetit britanik.
Mbretëria e Bashkuar ka dëbuar 23 diplomatë rusë si shkak i këtij incidenti.
Kryeministrja, Theresa May ka vizituar sot vendin ku ka ndodhur helmimi.
“Ne e mbajmë Rusinë përgjegjëse për akt të tmerrshëm dhe të neveritshëm”, ka thënë ajo.
Rusia ka kundërshtuar ndonjë përfshirje në këtë sulm.
Zyrtarë rusë kanë premtuar se shteti i tyre do të ketë përgjigjje për dëbimin e diplomatëve rusë nga Britania.