Në përvjetorin e tretë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi “rezistencën” dhe “heroizmin” e popullit të tij.
Gjatë një ngjarjeje të mbajtur në Kiev, ai theksoi se Ukraina ka qëndruar e fortë përballë agresionit të paprovokuar të Rusisë, duke theksuar se ky vit ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme për kombet që mbështesin Ukrainën.
Poashtu, ai njoftoi se liderët e Bashkimit Evropian kishin mbërritur në kryeqytetin ukrainas si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje.
Vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për të nisur atë që ai e quajti një “operacion special ushtarak” në shkurt të vitit 2022, shënoi fillimin e një konflikti që ka përfunduar në të vërtetë si lufta më e madhe dhe më e shkatërrueshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët, si dhe civilë ukrainas, janë vrarë, ndërsa qytete të shumta në jug dhe lindje të Ukrainës janë shkatërruar. Miliona njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke krijuar një krizë të madhe humanitare.
Zelensky, ka theksuar se Ukraina nuk do të dorëzohet dhe se populli ukrainas ka treguar heroizëm të jashtëzakonshëm. “Tri vjet rezistencë. Tri vjet mirënjohje. Tri vjet heroizëm absolut të ukrainasve”, tha ai, duke falënderuar të gjithë ata që po luftojnë dhe mbështesin Ukrainën.