Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se drejtësia në Shqipëri nuk do të përfundojë kurrë si ajo në Rusi.
“Një gjykatës, special, thotë që dënimi duhet të jetë më i ashpër, sepse populli ka mosbesim! Kjo nuk është drejtësia europiane, kjo është drejtësia e Vladimir Vladimirovich Putinit. Epo drejtësia e Putinit kurrë këtu! E kemi parë një herë këtë film, por atëherë nuk i thoshin të korruptuar, por armiq të klasës…”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
“SPAK dhe Gjykata Speciale nga shpresë duhet të bëhen krenari! Nuk duhet të ketë hije Kremlini, në kuptimin e metodave jo se ka infiltrim”, shtoi Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare tutje tha se SPAK-u është shpresa e vetme e opozitës për të goditur maxhorancën. Ai i bëri thirrje SPAK-ut që të mos intimidojë më administratën. “Boll!”, tha Rama. “Tani duam integritet të çdo procesi. Dëgjesat do të vazhdojnë me këdo që nuk është nën hetim. Me personat në hetim nuk merremi ne, ama personat që intimidohen i mirëpresim”.