Rusia akuzon Britaninë se po udhëheqë kampanjë anti ruse

Rusia ka akuzuar Bashkimin Evropian se po ndjekë një “kampanjë anti-ruse të iniciuar nga Londra” lidhur me sulmin me agjent nervorë ndaj një ish...

Rusia ka akuzuar Bashkimin Evropian se po ndjekë një “kampanjë anti-ruse të iniciuar nga Londra” lidhur me sulmin me agjent nervorë ndaj një ish agjenti të dyfishtë.

Moska ka mohuar të ketë përgjegjësi për sulmin ndaj ish spiunit Sergei Skripal dhe vajzës se tij Yulia, në Salisburi më 4 mars.

Karriget ku këta të dy ishin ulur kur ishin gjetur pa ndjenja, janë marrë nga ekipet e mbrojtura, përderisa hetimet janë duke vazhduar.

Të enjten BE-ja deklaroi se “ka gjasa të mëdha” që Rusia fshihet pas këtij sulmi.

Këshilli Evropian ka thënë se solidarizohet me Britaninë, pasi kryeministrja Theresa May i kishte njoftuar palët për helmimin.

May e ka mirëpritur mbështetjen e BE-së.

“Është mirë që jemi duke qëndruar bashkë përderisa kërcënimi nga Rusia nuk respekton kufijtë si dhe paraqet kërcënim për vlerat tona” kishte deklaruar May.