“Turqia duhet të heqë dorë nga kërënimet dhe provokimet e vazhdueshme. Jemi përballë një ndryshimi thelbësor të sjelljes së saj në rajon. Greqia do të vazhdojë të mbajë të hapur kanalet e komunikimit për të bashkëpunuar dhe përballur me problemet që na shqetësojnë, por duhet të jem i qartë; Greqia është e vendosur që të mbrojë sovranitetin dhe të drejtën e saj kundrejt çdo kërcënimi”, deklaroi kryeministri grek në një konferencë për shtyp me Presidentin qipriot, Nicos Anastasiades.
Tsipras tha se Turqisë duhet t’i bëhet e qartë edhe nga Bashkimi Europian se provokimet e vazhdueshme nuk sjellin përfitim, as për atë vetë.
Pas vizitës së Erdogan në Greqi në dhjetor të vitit të kaluar u duk se raportet mes dy vendeve do të hynin në një erë të re, por pak javë më vonë disa incidente me anije në Egje dhe më pas kapja e dy ushtarëve grekë në tokën turke riktheu gjuhën e ashpër mes Athinës dhe Ankarasë.
Dy ushtarët grekë mbahen ende të burgosur në Turqi. Greqia thotë se kalimi i kufirit prej tyre ishte aksidental, ndërsa Ankaraja thotë se po hetohet për të përcaktuar nëse kalimi ishte aksidental apo i qëllimshëm.