Ministri serb i Bujqësisë, në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, gjatë ditës së djeshme, ku u arrestua drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka marrë lëndime të rënda trupore.
Rikalo është rrahur nga Njësia Speciale e Kosovës për rezistencën e tij për të penguar arrestimin e Gjuriqit.
Pas goditjeve me shqelm që e ka marrë nga një pjesëtarë i Njësisë Speciale gjatë aksionit të arrestimit të Gjuriqit, Rikalo është në gjendje të rëndë.
Gjithashtu, burimet brenda Qeverisë së Kosovës thonë se dyshohet se ka gjakderdhje në mëlçi, andaj i është dashur të qëndrojë në intensivë për trajtim.
Ndryshe, Marko Gjuriq nuk kishte përfillur ndalesën e institucioneve të Kosovës, konkretisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të mos hyrë në Kosovë, andaj ai më pas është arrestuar nga Njësia Speciale në Veri të Mitrovicës ku po mbante fjalim para serbëve të kësaj zone.