Qeveria e Kosovës nuk e pranon “ultimatumin” e Listës Serbe

Nëse Prishtina zyrtare dhe Perëndimi nuk e formojnë Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill...

Nëse Prishtina zyrtare dhe Perëndimi nuk e formojnë Asociacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë këtë do ta bëjnë vetë përfaqësuesit serbë edhe me çmimin se do të arrestohen.

Kjo është porosia nga mbledhja e kryetarëve dhe këshilltarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u mbajt në Mitrovicën Veriore.

Mbledhja ka pasur dy çështje në rend dite: e parë ishte ajo për situatën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës dhe e dyta lidhur me raportimin e kryetari të Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidenti e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Mbledhjes i janë përgjigjur 120 këshilltarë të komunave nga 152 sa janë gjithsej.

Pamje nga takimi i Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut

Ministri i Administrimit të Pushteti Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq u tha të pranishmëve se “popullit serb të Kosovës do t’iu ndihmojë Serbia dhe Zoti”.

Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ‘është çështje politike kulmore dhe obligim ndërkombëtar’.

“Nëse Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe, ne e kemi të drejtën e plotë legjitime që vetë ta marrin fatin në duar tonë dhe ta formojmë Bashkësinë e komunave serbe”, tha Todosijeviq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq tha se subjekti të cilin e drejton dhe si përfaqësuese kryesore e serbëve të Kosovës do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet në Prishtinë për rrahjet brutale të para dy ditëve në veri të Mitrovicës.

Ai tha po ashtu se nëse nuk fillohet shpejt me formimin e Asociacionit, serbët vetë do ta bëjnë një gjë të tillë .

“Asociacioni nuk është kundër askujt, por është institucion edhe i serbëve edhe i shqiptarëve edhe i goranëve edhe i romëve. Policia dhe KFOR-i duhet të ofrojnë sigurinë e çdo qytetarit. Në veçanti thërras fqinjët tanë, shqiptarët mos bini në provokime. Së bashku do të ruajmë qetësin. Ne jemi për qetësi dhe paqe dhe dua të paraqes një porosi të presidentit Vuçiq se ai dhe shteti serb nuk do të lejojë që serbët të maltretohen apo vriten”, tha Rakiq.

Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq ka njoftuardeputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, do të jetë opozitë e fuqishme për të gjitha nismat e Qeverisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni do të formohet vetëm në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Pozicioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njohur për qytetarët e Kosovës dhe për miqtë ose aleatët strategjikë të saj se Asociacioni i komunave më shumicë serbe do të bëhet vetëm sipas verdiktiti të Gjykatës Kushtetuese dhe nga institucionet legale të Kosovës. Ndërkaq, çdo iniciativë unilaterale do të jetë e dënuar për dështim”, tha Matoshi.

Në konkluzionet e nxjerra, përfaqësuesit e komunave serbe përveç afatit deri më 22 prill që i kanë dhënë Qeverisë së Kosovës, kanë parashikuar edhe hapat tjerë që do të ndjekin.

Statuti i Asociacionit/Bashkësisë së komunave serbe, sipas këtyre konkluzioneve do të hartohet në bashkëpunim me Prishtinën dhe Beogradin, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por pa marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Njëherësh është kërkuar që për shkak të dhunës së përdorur të hënën, gjatë arrestimit të Marko Gjuriqit, ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës të japin dorëheqje.