Ish-ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po i ndjek hapat e ish–Presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, pasi po tenton të krijojë kriza.
Këto deklarime Petkoviq i bëri duke komentuar ultimatumin e dhënë nga Lista Serbe sa i përket çështjes së krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
”Mua nuk më pëlqen fjala ‘ultimatum’, sepse kjo i mbyll të gjitha mundësitë e marrëveshjes”, tha Petkoviq, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“U raportua që para tri ditësh Thaçi, Veseli dhe Haradinaj e kishin nisur hartimin e draftit për Asociacionin. Lista Serbe paraqet ekskluzivisht regjimin e Beogradit, jo serbët e Kosovës”.
”Serbët nuk do ta formojnë Asociacionin, por atë do ta formojë Lista Serbe. Aleksandar Vuçiq po tenton të bëjë atë që ka bërë Millosheviqi – të krijojë kriza e më pas t’i falen meritat”.
”Më e keqja është se as serbët as shqiptarët nuk dinë se çka po bisedohet. Unë nuk jam ithtar i Asociacionit së komunave serbe”, tha Pektkoviq.
”Nuk do të lejojmë që një njeri të vendos për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë. Të jem i sinqertë: për serbët është mirë që Lista Serbe ka dalë nga Qeveria e Kosovës”.
”Ne jemi lodhur me këto tensione, sepse pas 20 vjetësh do të duhej të komunikohej. Me ardhjen e Listës Serbe çdo gjë është rrënuar. Nuk ka komunikim normal. Ka ultimatume, që nuk e di kujt i konvenojnë. Pse ndodh kjo?”.
”Pse s’mund të ulemi rreth tryezës dhe të bisedojmë?. Jemi në shekullin 21, kemi ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Kërkohet siguri dhe zhvillim i qëndrueshëm ekonomik i të gjitha komuniteteve”.
”Vetëm një person i çmendur mund të mendojë se komuniteti serb në Kosovë mund të përparojë duke mos e marrë parasysh popullin shqiptar”, tha Petkoviq.