REAGIM i 6 ANËTARËVE TË KËSHILLIT ZGJEDHOR PËR ECURINË E PROCESIT ZGJEDHOR NË BL BILAÇ
Zgjedhjet e mbajtura në Bilaç më 25.03.2018, ku duhej të zgjidheshnin anëtarët e ardhshëm të Këshillit të kësaj Bashkësie lokale, edhe njëherë dëshmoi papjekurinë politike dhe mungesën e njohurive elementare të procesit zgjedhor, me ç’rast kryeneçësia e një anëtari të KëshIllit zgjedhor mjaftoi që i tërë mundi dhe përpjekja e qytetarëve të kësaj bashkësie lokale të shkoj huq.
Kjo kryeneçësi dhe injorancë nisi që nga mbajtja e tubimit, një javë më parë, ku duhej të kandidoheshin edhe kandidatët për anëtar të Këshillit zgjedhor, me ç’rast pati shkelje të theksuara të Ligjit për vetadministim lokal dhe të Statutit të Bashkësisë lokale Bilaç, duke “shpikur” rregulla e metoda të reja edhe sa i përket përpilimit të Listës së kandidatëve dhe formulimit të fletëvotimit, andaj nuk kuptohej nëse votohej me lista zgjedhore të mbyllura apo të hapura. Një sistem i imponuar vlerash të shpifura nga drejtuesit e Bashkësisë lokale - që udhëhiqet nga Partia demokratike, e përçudnoi tërë një proces i cili, mjerisht, as nuk ishte legal e as demokratik.
Edhe përkundër faktit se anëtarit të Këshillit zgjedhor, i deleguar nga ana e Partisë demokratike, iu ishte tërhequr vërejtja, fillimisht nga anëtarët e Këshillit zgjedhor e më vonë edhe nga vëzhguesit e Komisionit komunal, që të mos nënshkruante fletëvotimet, megjithatë ai vazhdoi me të veten gjë e cila edhe ishte shkas që 6 anëtarët e tjerë të Këshillit zgjedhor (nga gjithësejt nëntë) të mos e nënshkruanin procesverbalin, meqë akti apsurd dhe anakronik i nënshkrimit të fletëvotimeve linte përshtypjen se ky proces po zhvillohej me rregulla imagjinare e kanunore e jo në një rajon i cili pretendon që së shpejti të bëhet pjesë e Bashkimit europian.
Të kota janë edhe pretendimet vullgare, joetike e joprofesionale të portalit fantom Bujanoci.info për ta mbuluar mungesën e njohurive elementare që ka drejtuesi i këtij portali për procesin zgjedhor dhe shenjtërinë e paprekshmërisë së votës, sikur që ishin të kota edhe përpjekjet e shumicës së anëtarëve të Këshillit zgjedhor për ta parandaluar veprimin “sui generis” që solli deri te anulimi i gjithë procesit zgjedhor.
Kushdo që mendon se në këtë proces është bërë ndonjë padrejtësi i ka të hapura dyert e ankimimit, mirëpo duke e ditur se ankimimi nuk e mbulon vrazhdësinë e injorancës, nuk iu ka mbetur tjetër vetëm se të bëhen viktimë e altoparlantit të çmendurisë që po e trumbeton faqja internetike Bujanoci.info, e njohur tani më për skizofreninë a pashërueshme të patologjisë së njëanshmërisë partiake e politike.
Jemi të bindur se Bilaçi dhe qytetarët e saj më nuk do të jenë viktima të akteve të paprecedent që cenojnë pa asnjë shkas dhe nevojë shenjtërinë e votës dhe të procesit zgjedhor.
Në Bilaç, më 28.03.2018
KËSHILLI ZGJEDHOR I BL BILAÇ