Deputeti turk në linjë me shefin e vet në Ankara: Gylenistët janë terroristë

Deputeti turk në Kuvendin e Kosovës, Firkim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ka arsyetuar deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Deputeti turk në Kuvendin e Kosovës, Firkim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ka arsyetuar deportimin e gjashtë shtetasve turq në duart e Erdoganit duke thënë se organizata FETO është terroriste, ndërsa veprimtaria e gjashtë gylenistëve në Kosovë ishte ilegale.

Në seancën e sotme të thirrur për të diskutuar rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq, deputeti turk ka vendosur që të tregojë se pse Kosova veproi mirë dukë bashkëpunuar me pushtetin e Erdoganit për dorëzimin e gylenistëve në duart e tij.

“Është shumë me rëndësi për shtetndërtimin e Kosvës që të ruaj miqësinë me Turqinë”, ka nisur fjalimin e tij Damka duke u ankuar se së fundmi në Kosovë është fyer rëndë miqësia me shtetin turk për shkak të gylenistëve.

“Dëshiroj që të jap disa informacione për organizatën terroriste. FETO është ndërtuar në vitet e 50 nga imami Fetullah Gylen. Ajo ka për qëllim profitizmin dhe shkatërrimin e shtetit laik”, ka thënë deputeti.

“Në ligjëratat e tij Gylen ka treguar se si duhet të depërtuar në cdo qelizë të shtetit dhe shkatërrimin e sistemit laik”, ka thënë deputeti turk.

Ai ka folur edhe për gylensitët e deportuar, duke thënë se ata merreshin me aktivitet ilegale dhe financimi i shkollave të tyre ka qenë komplet ilegal.

“Kanë vepruar në maskën mësimdhënësit, por kanë pasur veprimtari tjera ilegale”, ka thënë Damka.