Arrestimi i të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq nga ana e autoriteteve kosovare ka bërë që Serbia të reagojë ashpër pothuajse për dy muaj rresht.
Ky shtet po tenton ta izoloj Kosovën me veprime të pamatura duke lobuar kundër pranimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe kundër njohjes së pavarësisë nga shtetet tjera.
Po ashtu, ditëve të fundit janë bërë edhe ndalesa për shtetasit kosovarë nëpër pikat kufitare Kosovë-Serbi.
Pjesëtari serb i FSK-së, Milosh Shoshiq u arrestua në Konçul të Serbisë në fund të muajit të kaluar. Ndaj arrestimit të Shoshiqit reaguan krerët e institucioneve kosovare dhe pas lirimit të tij, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq deklaroi se Shoshiq nuk ishte arrestuar por vetëm ishte marrë në pyetje për shkaqe sigurie, shkruan lajmi.net.
Një ditë më parë autoritetet serbe ndaluan pjesëmarrjen e karateistëve kosovarë në Kampionatin Evropian.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj e ka quajtur këtë akt të papranueshëm duke thënë se është ndalesa e dytë e shtetit serb brenda një kohe të shkurtër.
Gjithashtu ndalesë për qëndrim në Serbi dje pati edhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ilir Deda për pjesëmarrje në konferencën “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”.
Këtë çështje Ministria e Punëve të Jashtme paralajmëroi se do ta paraqes para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë sot u raportua se pjesëtarët e Policisë së Kosovës po hasin në telashe gjatë kalimit në pikën kufitare ‘Dheu i Bardhë’ dhe po merren në pyetje nga BIA serbe.
Theksojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq qëndroi në Rusi ku u takua me homologun e tij, Vladimir Putin. Pas këtij takimi Vuçiq deklaroi se kanë biseduar edhe për çështjen e Kosovës në mënyrë që të mos e lejojnë të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Lobim të tillë bën vazhdimisht edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Lidhur me këto veprime të Serbisë nuk ka pas ndonjë reagim nga ana e Bashkimit Evropian i cili është edhe ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi.