Kryhet ekspertiza: Policët Armend Trena dhe Malësor Dashi u vetaksidentuan

Dy policët që ranë në lumin Lepenc, Armend Trena dhe Malësor Dashi, sipas raportit të ekspertizës së komunikacionit janë vetaksidentuar

Dy policët që ranë në lumin Lepenc, Armend Trena dhe Malësor Dashi, sipas raportit të ekspertizës së komunikacionit janë vetaksidentuar. Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari

Kryeprokurori i Prokurorisë ka thënë se kanë marrë raportin e ekspertizës së veturës, dhe konfirmoi se ajo thotë se policët që u gjetën javën e kaluar në Lepenc, janë vetaksidentuar.

“E kemi marrë raportin e ekspertizës dhe sipas tij gjendja e automjetit ka qenë në rregull, nuk ka pasur probleme. Po ashtu, në raport thuhet se rasti ka qenë vetë aksident”, tha kryeprokurori Jashari për Gazetën Express.

Mirëpo, autopsia e trupave që u gjetën javën e kaluar në Lepenc, ende nuk është publikuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ky raport, fillimisht do t’i dorëzohet vetë kryeprokurorit Jashari.

Dimë se dy policët u aksidentuan më 28 prill të muajit të kaluar. Trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, ky dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur "Kulla me Çeshme”.