Njohja e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë nuk është reale. Kështu ka deklaruar Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-Demokrate dhe deputet në Kuvendin e Serbisë, në një debat të zhvilluar të premten në Prishtinë
Jovanoviq – i cili njihet si përkrahës i kamotshëm i qëndrimit që Serbia duhet të pajtohet se e ka humbur Kosovën, dhe se Beogradi do të duhej të kishte qenë i pari që ta njihte pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 – tha se në dialogun aktual mes Kosovës dhe Serbisë është e qartë çka kërkon Prishtina, porse mbetet e pathënë ajo që dëshirohet nga Beogradi, meqë synimin që e ka Serbia nuk po guxon ta deklarojë.
Dhe ky është – tha ai – shkëmbimi i veriut me vendimin e Serbisë për njohje të Kosovës.