Pjesë e këtij delegacioni, pos kreut të shtetit, do të jetë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.
Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë nga Presidenca, të cilët janë shprehur të bindur se Kosova do të jetë e barabartë me të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë samit, ku pritet të takohen zyrtarët e Bashkimit Evropian me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka përjashtuar mundësinë që shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të paraqesin ndonjë problem.
“Ka pasur disa rezerva në fillim, por si Kosovë i jemi shumë mirënjohës Bullgarisë së pari si organizatore, si nikoqire e pastaj shteteve të tjera që e kanë njohur Kosovën, që kanë insistuar në atë që samiti ka kuptim vetëm nëse mbahet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.