VV-ja s’ka vendim për organizimin e tryezës, e cilëson si humbje kohe

Lëvizja Vetëvendosje sot ka zhvilluar në mbledhje të kryesisë, por që nuk është marrë vendim për organizimin e tryezës së ardhshme politike.

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci thotë për lajmi.net se në ditët e ardhshme do të vendosin nëse do të thërrasin tryezë, apo jo.

Nagavci ka thënë se tryeza e parë u thirr për organizimin e zgjedhjeve, kurse sipas saj në tryezën e dytë as që është diskutuar për këtë temë.

“Ne sot kemi diskutuar në mbledhjen e kryesisë, por nuk kemi marrë vendim përfundimtar. Por shumë shpejt do të dalim me vendim se a do të organizohen dhe nëse po në çfarë mënyre. Sepse qartë tryeza e parë u fillua me idenë për zgjedhjet e reja, ndërsa e pamë që tryeza e dytë as që u diskutua për zgjedhjet e reja, duket se kjo është përpjekje me u zgjat koha. Kështu që shumë shpejt kemi marrë një vendim si të vazhdojmë”, ka thënë Nagavci.

Partia Social Demokrate ditë më parë kishte paralajmëruar se nëse jo VV-ja, atëherë ata do të vazhdojnë me organizimin e tryezës.

Por sipas Nagavcit PSD-ja është e lirë të vendos, pasi që janë ndarë rrugët me Vetëvendosjen.

“PSD-ja janë të lirë të marrin vendime pasi i kanë ndarë rrugët me Lëvizjen dhe mund të vendosin sido që e shohin të arsyeshme”, tha tutje Nagavci për lajmi.net.

Tryeza e parë politike është organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku morën pjesë të gjitha partitë.

Kurse në tryezën e dytë të thirru nga PDK-ja, nuk shkuan Vetëvendosja dhe Lista Serbe.

Sipas radhës, tash është koha që partia e Albin Kurtit ta thërrasë tryezën e radhës