Arifi i reagon BE-së: Mos u merr me paga, por me marrëveshjet e dialogut

Avni Arifi, shef i personelit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave

Avni Arifi, shef i personelit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave duke thënë se vendimi është legal e legjitim.

Pas shumë reagimeve nëse vendimi duhet të zbatohet, Arifi i është përgjigjur edhe shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, duke i thënë që sa merret me paga më mirë është të merret me marrëveshjet e dialogut me Serbinë.

Arifi në profilin e tij në Facebook shkruan se për vendimin për pagat është përgjigjur edhe Kushtetuesja.

“BE do të ishte mirë që në vend të sfidimit të vendimeve të tilla nga fusha e përgjegjësive qeverisëse, të sigurojë implementimin e marrëveshjeve që vet i ka garantiar, siç është marrëveshja për energjinë. Nëse sipas ekspertëve, Kosova në vit i humbë 25 milionë euro si pasojë e moszbatimit të marrëveshjës për energjinë, atëherë që nga viti 2013 Kosova i ka humbë 150 milionë euro. Zyra e BE- së në Kosovë, sot, duke komentuar pagat e zyrtarëve qeveritarë, e pati gabim. Kosova ndihmohet duke implementuar marrëveshjen e garantuar për energjinë dhe jo duke dhënë vlerësime për vendime legjitime politike gati si parti politike qe synon sukses elektoral zgjedhor”, ka shkruar Arifi