Por, ai duket është detyruar të konfirmojë se, asnjë prej këtyre vendeve nuk është pajtuar me idenë, ndonëse në tryezë nuk është hedhur ende një propozim zyrtar, e se mbase do të nevojiten bisedime të mëtejshme.
Një ditë më parë, qeveria holandeze e pranoi se ka shqetësime serioze sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. “Në këto dy pika lipset më shumë progres”, tha ministri i Jashtëm, Stephanus Abraham Blok, i cituar nga “De Telegraaf”.
“Megjithatë – vazhdon gazeta, – ekzekutivi i vendit nuk ka vendosur ende nëse do t’ia mbyllë derën shtetit ballkanik”.
Për këtë arsye, disa fraksione parlamentare po i mëshojnë rezistencës në Asamble, në përpjekje për të ndaluar “dritën jeshile” të qeverisë ndaj çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ato e pranojnë se ka pasur përparim sidomos me Reformën në Drejtësi. “Por, nga 800 gjykatës, vetëm 10 janë testuar deri tani – pretendojnë ligjvënësit kundërshtarë. – Ndaj nuk mund të thuhet se vendi është gati për negociatat e anëtarësimit”.
Mbështetësit nga ana tjetër, që në Parlament janë shumë pak, vetëm dy parti – “D66” dhe “GroenLinks”, – argumentojnë se Shqipëria mund të ecë përpara me sundimin e ligjit dhe se bisedimet e anëtarësimit, në fund të fundit nuk do të thonë aderim në BE.
“Ne thjesht do t’i vëmë në rresht, pastaj sesa shpejt do të ndodhë bashkimi, ajo është çështje tjetë”.