Hoxha pret nga BE t’i përmbush premtimet për vizat

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka zhvilluar takime në Bruksel në kohën kur po pritet të publikohet raporti me rekomandimet...

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka zhvilluar takime në Bruksel në kohën kur po pritet të publikohet raporti me rekomandimet, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se është momenti kur Bashkimi Evropian duhet të njohë përparimin në Kosovë dhe përmbushjen e kritereve.

“Nga vizita ime në Bruksel, mund të them se nuk pres befasi dhe pres rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian, dhe sigurisht se ky rekomandim do të jetë rezultat i përmbushjes së të gjitha kritereve të dala nga udhërrëfyesi. Pres nga institucionet e BE-së që të përmbushin premtimet e tyre, pasi që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, tha Hoxha.

Ajo beson se procedurat rreth çështjes së liberalizimit do të përmbyllen brenda këtij viti.

“Konsideroj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi i marrë në vitin 2012, andaj bazuar në përmbushjen e kushteve pres rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian”, thotë Hoxha.

Ajo shton se nuk ka ndonjë datë të saktë se kur pritet të publikohet raporti me rekomandimet për vizat, por mund të ndodhë që të publikohet në fillim të muajit korrik, 2018.