Tetë pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb kanë paraqitur dorëheqjen e tyre.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësi i ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.
Ai ka thënë se me të marrë kërkesën, krerët e FSK-së janë takuar me këta pjesëtarë.
“Unë e konfirmoj se tetë pjesëtarë të FSK-së kanë paraqitur dorëheqjen, mirëpo me të paraqitur këtë dorëheqje, atje kanë shkuar drejtuesit më të lartë të FSK-së dhe Ministrisë dhe kanë diskutuar me këta pjesëtarë dhe kanë mbetë që këtë pjesëtarë me e rishqyrtu edhe njëherë vendimin e tyre”, ka thënë Shala.
Tutje, Shala ka thënë se shkak i paraqitjes së kësaj kërkese ka qenë presioni i vazhdueshëm i Beogradit, dhe incidentet e shënuara kohëve të fundit.
“Shkak i paraqitjes së kësaj kërkese është presioni nga shteti serb, nga disa forca politike ndoshta edhe brenda në Kosovë”, ka shtuar Shala.
“Mediat janë të njoftuara për rastet e ndalimit nga shteti serb për këta pjesëtarë, pastaj dëmtimi i pronave dhe rastet e shumta të kërcënimeve që janë bërë edhe ndaj familjeve të tyre”, ka shtuar ai.
Ai po ashtu ka thënë se këta pjesëtarë nuk kanë shprehur asnjëherë pakënaqësi për mënyrën e trajtimit brenda FSK-së dhe veprime të tilla të Beogradit janë shkelje e të drejtave të njeriut.
“Vlen të theksohet se ata nuk shprehin asnjëherë pakënaqësi nga trajtimi brenda FSK-së, nga diskriminimi brenda FSK-së”, ka përfunduar Shala.
Kujtojmë se dy pjesëtarë serbë të FSK-së janë arrestuar ditë më parë në Serbi, për tu liruar më pas nga autoritetet e Beogradit