Deda: Kosova s’ka nevojë për marrëveshje me Serbinë nëse s’do anëtarësim në OKB

Drejtuesit e Partisë Socialdemokrate kanë kërkuar që në dialogun me Serbinë

Drejtuesit e Partisë Socialdemokrate kanë kërkuar që në dialogun me Serbinë, Kuvendi i Kosovës ta marrë rolin udhëheqës. Sipas tyre, ai është i vetmi organ që ka legjitimitet për një gjë të tillë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se dialogu me Serbinë dhe marrëveshja finale janë kyç për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.

Drejtuesit e Partisë Socialdemokrate janë shprehur edhe një herë kundër që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, t’i prijë procesit të dialogut me Serbinë.

Ky subjekt po kërkon që udhëheqjen në dialog ta marrë Kuvendi i Kosovës.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se Kuvendi është i vetmi institucion që ka legjitimet për një gjë të tillë.

Ndërkohë deputeti, Ilir Deda, në tryezën me temën “Cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj pesëshes mosnjohëse të BE-së”, ka thënë se nuk duhet të ketë marrëveshje me Serbinë nëse nuk është synim anëtarësimin në OKB.

Megjithatë, zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se dialogu me Serbinë dhe marrëveshja finale janë kyç për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidenca, në anën tjetër, të hënën konfirmoi që këtë javë do të zhvillohet takimi me liderët e subjekteve politike ku synohet të nisë konkretizimi i hapave drejt themelimit të ekipit negociator për dialogun me Serbinë, gjë e cila është kundërshtuar nga opozita.