Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) sot u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së parë të studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike në programin e studimeve bachelor.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme Bejtush Gashi duke ofruar mbështetje për Akademinë para studentëve të sapo diplomuar i uroi të gjithë të diplomuarit dhe përgëzoi ata për sukseset e tyre.
“Në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme kam kënaqësinë të konfirmojë përkushtimin dhe përkrahjen time për të vazhduar avancimin e mëtutjeshëm të këtij institucioni më qëllim që Fakulteti i Sigurisë Publike të jetë lider në rajon dhe më gjerë për arsimin e lartë në fushën e sigurisë publike”, tha ministri Gashi, thuhet në komunikatë.
Në fund studentëve të sapo diplomuar iu shpërndanë certifikatat përkatëse. Të sapo diplomuarit vijnë nga të gjitha institucionet e sigurisë publike, nga Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Sprovues dhe nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.