Vazhdimi i seancës së sotme nisi pas 50 minutave, e në seancë ishin vetëm 20 deputetë. Deputetët e pranishëm thanë se të tjerët më të rëndësishëm e kanë ta shikojnë Kampionatin Botëror se sa të marrin pjesë në seancë.
Pas zgjedhjes së tre emrave për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në Kuvend u pajtuan që të kthehen në orën 16:00.
Deputeti Korab Sejdiu, i vetmi i nga Grupi Parlamentar i LDK’së, tha se duhet të vazhdohet seanca të hënën, për shkak të mungesës serioze të deputetëve.
“Debati me 20 deputetë është goxha kot”, tha deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.
Shefi i Grupit Parlamentar i PSD’së, Dardan Sejdiu e ka lidhur mungesën e deputetëve me ndeshjet e kampionatit Botëror.
“Siç duket kampionati botëror po bëhet më i rëndësishëm se sa parlamenti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Sejdiu.
“Është për keqardhje që numri i deputetëve është minimal”, tha ai.
Edhe deputetja e AAK’së, Teuta Haxhiu tha se për deputetët më e rëndësishmë po është futbolli, por ajo ishte që të vazhdojë seanca.
Bilall Sherifi tha se futbolli nuk është arsyeja e mungesës së 100 deputetëve.
“Pra nuk është arsyeja futbolli, së paku unë kështu e shoh se nga 27 sa ka LDK, veç Korabi qenka këtu, kjo i bije që LDK krejt futbollista”, tha ai.