Në poligonin stërvitor ushtarak në Krivollak të Maqedonisë, kadetët e shteteve pjesëmarrëse me sukses përfunduan operacionet përfundimtare në kuadër të ushtrimit 12 ditor ,,Kampi veror 2018’’, ku krahas kadetëve të 11 shteteve si: SHBA-ja, Gjermania, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Rumania, Norvegjia dhe kadetët e FSK-së, të cilët demonstruan me sukses aftësitë e tyre profesionale si dhe nivelin e gatishmërisë.
Në ditën e fundit të ushtrimit fushor, kadetët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse, gjatë demonstrimit, përbënin një batalion shumëkombësh që ishin të ngarkuar me detyra të operimit dhe realizimit të tyre në terren. Ushtarët dhe eprorët pjesëmarrës treguan një nivel të lartë të angazhimit, veprimit dhe koordinimit në mes tyre, duke vepruar si njësi unike në realizimin e detyrave të përcaktuara nga skenari i ushtrimit.
“Kampi veror 2018” ka karakter ndërkombëtar dhe organizohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake e Maqedonisë, në të cilin për çdo vit po marrin pjesë kadetët e vende të ndryshme të rajonit e më gjerë, të menaxhuar nga instruktorë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe (PFP).
Kadetët e FSK-së, pjesëmarrës në “Kampin veror 2018”, edhe këtë vit u dalluan me paraqitjen e tyre të shkëlqyeshme si në operacionet individuale dhe ato kolektive.