Ramush Haradinaj zgjohet nga gjumi, ua tregon muskujt Thaçit e Veselit

Ramush Haradinaj përfundimisht ka zgjedhur t’ua tregojë "muskujt" partnerëve të tij të koalicionit, por edhe kreut të vendit Hashim Thaçit.

Ramush Haradinaj përfundimisht ka zgjedhur t’ua tregojë "muskujt" partnerëve të tij të koalicionit, por edhe kreut të vendit Hashim Thaçit. Derisa dikur ishte më i përmbajtur në deklarimet e tij, e sidomos kur bëhej fjalë për Thaçin, Haradinaj tash nuk po heziton t’u çojë selam krerëve shtetërorë. “Kërkush s’mund t’më kallxoj mu çka me bo”, tha kryeministri kur foli për refuzimin e Bedri Hamzës për ta marrë pagën me rritje.

Lehtësimi se pas një dakordimi mes partnerëve të koalicionit për ta çuar tutje procesin e dialogut, e pamundëson aktualisht rrëzimin e Qeverisë "Haradinaj", ky i fundit tash ka filluar t’i tregojë "dhëmbët".

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ministrit të Financave, Bedri Hamza, pasi ky i fundit e refuzoi pagën me rritje. Tha se Hamza sa ka qenë drejtor i BQK-së ka marrë pagë 4 mijë eurosh.

“Asnjë ministër s’më kallëzon mu çka me bo. As Bedri Hamza as kërkush. 4 mijë euro e ka pas pagën në BQK, mos të shet mend”, tha Haradinaj në Tribuna Channel.

Madje, Haradinaj tha se as kryeparlamentari e presidenti i vendit, nuk mund t’i tregojnë çka të vendosë.

“As Kadria e as Hashimi s’mund të më tregojnë çka me bo nëpërmjet ministrave”, deklaroi Haradinaj. Bedri Hamza ka refuzuar marrjen e pagës me rritje. Më parë Haradinaj kishte thënë se Hamza me këtë vendim nuk është treguar burrë i mirë.

Ky reagim i Haradinajt ndaj Hamzës, Thaçit e Veselit, vjen pasi koalicioni qeverisës ka rënë dakord që të bëhet bashkë për bisedimet në Serbi. 

Ata janë pajtuar që të shkojnë bashkë më 18 korrik në Bruksel për takim me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini.

I fundit që është bindur për këtë është zëvendëskryeministri Limaj, i cili deri më tani e ka refuzuar Hashim Thaçin si prijës të negociatave.

Ramush Haradinaj edhe në intervistën në Frontal të T7-shit ditë më parë kur kishte folur për raportet mes Fatmir Limajt e Hashim Thaçit, kishte deklaruar se të dytë hanë darka së bashku, derisa në publik paraqiten ndryshe vetëm për të fituar vota.