Prindërit e Selma Mustafaviqit tregojnë se si Numan Baliq ngacmoi seksualisht të bijën e tyre
Një hall i madh i ka sjellë në Prishtinë Murat e Elvira Mustafaviqin.
Këta janë prindërit e Selma Mustafaviqit, 17 vjeçare nga Vitomirica e Pejës, e cila po akuzon ish ministrin e Shëndetësisë, Numan Baliq, për ngacmim seksual.
Të shqetësuar nga ajo çfarë kishin parë e kishin dëgjuar nga vajza e tyre, erdhën në Prishtinë, t'i drejtoheshin edhe Zyrës së Avokatit të Popullit, raporton T7.
Sipas mesazheve që prindërit i posedojnë, Baliq i kishte shkruar vajzës 17 vjeçare mesazhe me përmbajtje intime.
Meqë vajza ia kishte bllokuar të gjitha kontaktet përmes telefonit, Baliq i kishte shkruar edhe letër.
Baliq mesazhe nuk kishte shkëmbyer vetëm me Selmën, por edhe me nënën e saj.
Nëna, Elvira tregon se momenti kur kishte kuptuar se vajza e saj ka një hall, ishte shqetësuar shumë.
Selma kontrollin mjekësor donte të bënte me nënën, ngase kishte frikë që mund të ndodhte diçka pa dëshirën e saj.
E momenti kur Elvira ishte përballur me Baliqin në zyrën e këtij të fundit, për nënën e tre fëmijëve ishte i rëndë.
Selma, sipas prindërve, ishte edhe e rrahur nga profesori i saj.
Numan Baliq për familjen Mustafaviq nuk është vetëm profesor i të bijës, por kanë lidhje familjare.
Murati, 48 vjeçar, kërkon drejtësi për rastin e vajzës së tij.
Selma, 17 vjeçe e gjysmë, tashmë ka ndërprerë Fakultetin e Infermierisë.
Numan Baliq, i kontaktuar nga T7, ka thënë se këtë punë ua ka lënë organeve të drejtësisë.
Prokuria në Pejë ka nisur hetimet për këtë rast.