Së paku tetë persona kanë vdekur dhe rreth 20 të tjerë janë lënduar të premten, kur një bosht u shemb në një minierë shtetërore në jug të Serbisë, raporton agjencia “Reuters”, duke e cituar televizionin publik serb.
Ekipet e shpëtimit po mundohen që të përcaktojnë se sa minatorë ndodhen të ngujuar në zonën e shembur të minierës, raportoi televizioni serb, duke i cituar autoritetet shëndetësore në qytezën jugore, Aleksinac, 200 kilometra nga Beogradi.
Goran Vidiq, drejtor i një spitali lokal, u citua të ketë thënë se të gjitha operacionet jourgjente janë anuluar dhe disa pacientë janë liruar për të krijuar hapësirë për minatorët e lënduar.
“Situata këtu është e vështirë, familjarët janë këtu, njerëzit janë të mërzitur”, tha ai.
Televizioni RTS raportoi se në kohën e aksidentit, në ndërrim ishin 49 minatorë.
Miniera e Aleksinacit është e shpërfaqur ndaj rrezatimit të metanit. Në vitin 1989, rreth 90 minatorë kishin vdekur nga një shpërthim aty.