Pakoja e re e ligjeve zgjeron frontin e luftës kundër korrupsionit, thotë Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se është duke u punuar edhe në Pakon e Ligjeve kundër korrupsionit.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, pasi mori pjesë në Forumin Kundër Korrupsionit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ministri Tahiri ka shprehur angazhimin e tij për një shtet ligjor, gjë që do të ndikoj direkt edhe në zhvillimin ekonomik.

“Ne jetojmë në një shtet të ri demokratik që aplikon një ekonomi të lirë të tregut, dhe ku sektori privat do të duhej të ishte dhe pritet të jetë gjeneruesi më i madh i të mirave materiale, punëdhënies dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Por, për një sektor privat ekonomikisht të fuqishëm është i nevojshëm një shtet ligjor që mbron parimin e shanceve të barabarta. E në vendin tonë, sipas përceptimeve të përgjithshme, korrupsioni është instrument që shkelësit e ligjit e përdorin si mjetë për të shkelur shancet e barabarta, duke e shkelur kështu parimin themelor mbi të cilin funksionon demokracia dhe ekonomia e lirë e tregut”ka shkruar Tahiri.

Sipas Ministrit Tahiri, Pakoja e Ligjeve Kundër Korrupsionit i shtohet ligjeve që tashmë luftojnë këtë dukuri negative, si ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Për këtë gjë, ministri ka thënë se po rritet fronti në këtë luftë.

“Këto ligje do definojnë qartë rolin e secilit akter, secilës procedurë dhe secilit argument që në vete bartin një mesazh unik: Zero tolerancë ndaj korrupsionit. Këto ligje, me të gjitha kufizimet që vendosin dhe mundësitë që krijojnë, janë dhe duhet t’iu shërbejnë të gjithëve, komunitetit të biznesit, qytetarëve, shoqërisë civile, sepse duke i përdorur ato në shkallë të gjërë, edhe fronti në luftë kundër korrupsionit do të zgjerohet” ka përfunduar Tahiri.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48