Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në konferencë të përbashkët për media me presidentin Hashim Thaçi, se Kosova ka perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Merkel ka përmendur se Kosova duhet të fokusohet më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu, kancelarja gjermane tha se duhet të bëhet më shumë për uljen e papunësisë, për të cilën pohoi se është e madhe, njofton Klan Kosova.
Merkel ka shtuar se çështje tejet e rëndësishme është edhe marrëdhënia e Kosovës me Serbinë.
“Çështje qendrore në lidhjen afrimin në BE natyrisht është raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ky raport do të zër vend qendror në bisedat tona që do të kemi pas pak. Ne e dimë që ky raport nuk është i thjeshtë, por besoj që ka pasur disa përparime por duhet të punohet edhe më shumë”.
“Marrëveshjet që janë nënshkruar duhet të zbatohen. Prioritet në këtë kohë ka Bashkësia e Komunave Serbe dhe çështjet e energjetikës”, ka shtuar kancelaria gjermane.
Në fund Merkel tha se takimi me Thaçin i shërben përgatitjet për Samitin e Sofjes që mbahet këtë muaj dhe Procesit të Berlinit që në qershor vazhdon në Londër.
Merkel më pas ka folur për marrëdhënien e përbashkët mes Kosovës e Gjermanisë. Ka deklaruar se kjo marrëdhënie është e shkëlqyeshme. Kancelarja nuk ka lënë pa përmendur se janë 350 mijë kosovarë që kanë nënshtetësi edhe gjermane.
Ajo ka premtuar se do të angazhohet që të rrisë numrin e njohjeve për Kosovën.