Ahmeti flet si kryetar partie: Të punojmë për instalimin e vlerave evropiane në Kosovë

Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti

Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, në fjalimin e parë në këtë post, tha se duhet punuar për instalimin e vlerave evropiane në Kosovë.

Ahmeti, duke folur në ceremoninë pas Kuvendit të partisë, tha se Kosova duhet të punojë që “ta instalojë Europën” në Kosovë.

“Nuk është përzgjedhë rastësisht data 9 Maj, Dita e Evropës, që çuditërisht në Kosovë është ditë pushimi”, tha Ahmeti.

“Ne fjalorin e kemi gabim: shkuarja në Evropë, shkuarja në Bruksel. Ne duhet ta instalojmë Europën në Kosovë… Ne nuk do të shkojmë të gjithë të jetojmë në Evropë, ne duam që standardet e BE-së t’i kemi në Kosovë”, tha ai.

Ahmeti tha se “duhet të luftojmë për social demokracinë në vendin tonë”.

“Në deklaratën e 9 maj 1950 Robert Shuman shkruan për solidaritetin në prodhim. Ka qenë e drejtë çka ka thënë ai, ngase nga ajo kohë s’kemi as konfliktin me të vogël në Evropë. Tash, duhet të them që diçka që është fundamentalisht gabim në Kosovë: maksimalizimi i interesit personal. Kjo na është kthyer në qëllim kolektiv”.

“Kualitetet vetjake të jetës nuk janë te trashëguara. Obsesioni për pasurimin është qëllimisht ideologji e 20 viteve të fundit në Kosovë”.

“Në Kosovë thuhet nuk funksionin publikja, vetëm privatja. Ne fakt në Evropë funksionon privatja, po edhe publikja, funksionojnë bashkë”, tha Ahmeti.